KORI SIPARANTUM
19 shtator 2026, ora 19:00
Përmes zërit të Siparantum Choir, hapësirat, historitë dhe kujtimet e Prishtinës shndërrohen në një përvojë muzikore që lidh të kaluarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen. Performanca në kuadër të ndërhyrjes artistike specifike për lokacionin nis nga Kacallarët, një prej pjesëve të vjetra të Prishtinës, nga sokakët, shtëpitë me tulla të kuqe, furra, Rilindja dhe hapësirat ku dikur zhvillohej jeta e përditshme. Këto vende nuk trajtohen vetëm si ndërtesa apo lokacione, por si bartëse të kujtesës njerëzore. Në kujtimet e njerëzve, aty kanë qenë loja, puna, familja, zërat, aroma e bukës dhe jeta e lagjes. Përmes repertorit të zgjedhur, kori kalon nëpër gjendje të ndryshme emocionale dhe artistike: nga energjia dhe lëvizja kolektive, te zjarri, lutja, humbja, ëndrra, identiteti, dashuria dhe shpresa. Performanca hapet me vepren PREMIERË “Gjurmë” të kompozuar nga Memli Kelmendi enkas për këtë aktivitet, e cila shënon pikënisjen e rrëfimit. Më pas, përmes repertorit të përzgjedhur, krijohet një rrëfim muzikor që kalon nga një kujtim në tjetrin dhe nga një gjendje në tjetrën, duke ndjekur gjurmët e njerëzve, hapësirave dhe kujtimeve që kanë mbetur në qytet. Fjalët e nxjerra nga intervistat bëhen pjesë e identitetit të këtij rrëfimi: “Kacallart”, “Sokaku”, “Shpija me tulla të kuqe”, “Rilindja”, “Furra”, “Shtëpia e fantazmave”, “Jetimi”, “Qielli është limiti”. Në këtë koncept, Kori Siparantum nuk është vetëm interpretues i muzikës. Kori bëhet zëri i një kujtese kolektive. Zërat e koristëve/eve ndërtojnë dhe rikthejnë përkohësisht hapësira që nuk ekzistojnë më në të njëjtën formë.
—–
Shtatëmbëdhjetë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Po ashtu nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Kryeqyteti Prishtina.







