Metamorphosis, projekt i zbatuar nga Shtatëmbëdhjetë, e vë në dialog artin dhe kulturën për të diskutuar rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike. Duke rikthyer në jetë objektet e braktisura dhe duke i rivitalizuar ato qoftë edhe për një ditë, mëtohet që të dokumentohet kujtesa kolektive e një të kaluare për të cilën pak flitet, dhe të trajtohet shfrytëzimi i hapësirës publike në të mirën e komunitetit.Metamorphosis fokusohet veçanërisht në objekte, monumente dhe hapësira publike të cilat janë edhe produkt i proceseve të shumta shoqërore. Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vet shoqëria. Për më tepër, ndryshon mënyra se si po formohet korpusi i njohurive publike, ashtu si dhe hapësira publike në të cilat ekzistojnë këto objekte dhe monumente kulturore. Përmes Metamorphosis synohet të analizohet lidhja midis objekteve, monumenteve dhe vetëdijes publike, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formësimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive në hapësirën publike, dhe nga ana tjetër të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve dhe monumenteve. Në këtë mënyrë, duke u angazhuar me historitë dhe simbolet hapësinore të kujtesës, Metamorphosis vë në pah fuqinë e kujtesës kolektive për të formësuar hapësira të reja urbane, dhe njëkohësisht thekson të drejtën mbi qytetin.