Që nga viti 2018, Metamorphosis ka qenë një nga projektet më të rëndësishme të fondacionit Shtatëmbëdhjetë, duke rikthyer vëmendjen tek objektet e braktisura dhe historitë që ato mbajnë. Përmes hulumtimit, mbledhjes së kujtesës kolektive, intervenimeve artistike specifike për lokacionin, botimeve dhe avokimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të kaluarës, ky projekt ka dëshmuar se hapësirat nuk janë vetëm struktura fizike, por bartëse të kujtesës së një qyteti. Me Metamorphosis kemi krijuar një arkiv alternativ të qytetit. Një arkiv që mbështetet po aq në kujtesën e njerëzve sa edhe në burimet historike.
Përgjatë katër edicioneve, Metamorphosis ka trajtuar ish-Menzën e punëtorëve të Ramiz Sadikut, Restorant Marsi, Objektin e Kryqit të Kuq dhe Kino Rininë, ndërsa gjatë këtij rrugëtimi janë botuar tre libra që dokumentojnë proceset kërkimore, artistike dhe historitë e këtyre vendeve. Në secilin edicion, puna nuk ka nisur me ndërhyrjen artistike, por me hulumtimin.
Edicioni i pestë këtë shtator, shënon njëkohësisht kulmin dhe përmbylljen e këtij kapitulli. Ai rikthehet edhe një herë tek një objekt i lënë në harresë, për të vazhduar kërkimin mbi kujtesën, trashëgiminë dhe të kaluarën, por edhe për të mbyllur një cikël tetëvjeçar pune që ka lënë gjurmë në mënyrën se si i kuptojmë hapësirat e qytetit. Një kapitull mbyllet, por pyetjet që ka ngritur Metamorphosis do të mbeten të hapura, duke sjell forma të reja të prezantimit të kësaj të kaluar të mbledhur bashkë me kujtesën dhe historinë e qytetit.
Se për cilin objekt bëhet fjalë dhe për detajet e tjera do të informoheni shumë shpejtë.
Stay tuned!
—
Shtatëmbëdhjetë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Po ashtu nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Kryeqyteti Prishtina.







