Valmira Rashiti është hulumtuese, shkrimtare dhe redaktore nga Kosova, me fokus në kërkime gjinore, sociologjike dhe antropologjike. Puna e saj, ndër vite, eksploron marrëdhëniet mes gjinisë, klasës, kujtesës kolektive, transformimeve shoqërore dhe këndeve të anashkaluara të përditshmërisë në Kosovë, me interes të veçantë për mënyrat se si strukturat politike, ekonomike dhe kulturore formësojnë jetën intime dhe kolektive.
Që nga viti 2018, angazhimi i saj kërkimor është ndërthurur ngushtë me aktivizmin feminist, përmes autoresisë së hulumtimeve, eseve dhe ligjërimeve mbi identitetin gjinor dhe seksual në Kosovë.
Përmes punës së saj, Valmira synon t’i kontribuojë sendërtimit të gjuhës kritike – por të ndjeshme ndaj dallimeve, për të kuptuar jo vetëm format e pabarazisë dhe përjashtimit, por edhe mënyrat se si përvojat personale, ekologjike dhe shoqërore qëndrojnë dukshëm të ndërlidhura. Kjo qasje e ka orientuar drejt formave të të menduarit që e shohin natyrën jo si peisazh pasiv i kundrimit, por si një ekosistem aktiv, që vazhdimisht jep dhe merr nga njerëzit.
Valmira ka kontribuar në zhvillimin e përmbajtjeve editoriale dhe ka në autorësi edhe shkrime të cilat reflektojnë qasjen e saj kritike karshi vetëdijes ekologjike. Në këtë vazhdë, projekti i saj në kuadër të Rezidencës INFRARED, “Ahti i pemëve ka me ju nxanë”, buron nga një reflektim mbi marrëdhënien e njeriut me natyrën.
Ahti është një nocion i rrënjosur në kujtesën kolektive të shqiptarëve, me anë të së cilit, gra e burra, historikisht i janë referuar një mallkimi moral që lind kur një padrejtësi e rëndë kryhet ndaj një qenieje a një vlere të shenjtë simbolike. Në rrëfimet popullore, lisat dhe pemët e vjetra shpesh konsiderohen bartës të kujtesës së komunitetit, si vende ku janë mbajtur mbledhi, apo janë zhvilluar rituale të ndryshme, njerëzore. Prandaj, prerja apo dëmtimi i tyre nuk është cilësuar vetëm si një akt i dëmtimit fizik të natyrës, por edhe si prishje e një rendi simbolik. Në këtë kuptim, ndër gjenerata është bartur, shpesh si mallkim, fraza: “ahti i pemëve ka me ju nxanë.”
Ky projekt hulumtues synon të eksplorojë më thellë këtë frazë, duke gërmuar përmes hulumtimit në vegëzat e ahtit, si një formë e hershme e kultivimit të ekokulturës. Në një kohë kur hapësirat urbane dhe rurale në Kosovë po transformohen me shpejtësi dhe pemët e vjetra shpesh zhduken për t’i hapur rrugë ndërtimit apo infrastrukturës, hulumtimi i vë njerëzit përsëri përballë ‘ahtit’, duke i përballë atë me pyetjet: çfarë ndodh kur njeriu humbet sinkronizimin e vet me natyrën?







