Manushaqe Ibrahimi është një artiste e re nga nga Kosova, që jeton dhe punon midis Prishtinës dhe Brnos. Përgjithësisht, veprimtaria e saj lidhet me metodologji e çështje interseksionale që trajtojnë memorien kolektive, (ri)përfshirjen me hapësira publike a private të neglizhuara, duke u përvijëzuar nga një tentim për dokumentim antropologjik dhe një intimitet i të tentuarit për njohje që vjen përmes imazheve që ajo krijon.
Në kuadër të rezidencës INFRARED, ajo zhvillon një projekt që nis nga një herbarium familjar i viteve 1980, i mbledhur në Kosovë gjatë një periudhe izolimi. Përmes këtij arkivi, projekti shqyrton ndryshimet në biodiversitet dhe “padukshmëritë” mjedisore të shkaktuara nga koha, urbanizimi dhe kriza klimatike.
Duke kombinuar kërkimin shkencor me eksperimentimin artistik—përfshirë fotografinë dhe transformimin e materialit në forma të reja—projekti synon të zbulojë gjurmë të humbura të florës dhe të nxisë ndërgjegjësim për ruajtjen e ambientit. Procesi plotësohet me aktivitete publike dhe punëtori, që rikthejnë vëmendjen te praktikat e dokumentimit të natyrës dhe lidhin kujtesën personale me sfidat ekologjike bashkëkohore.







