Me kënaqësi ju njoftojmë se artisti i ri vizual nga Shkodra, Xhulian Millaj, do të jetë pjesë e rezidencës së artit Matanë i cili do të qëndroj për tre javë në Prishtinë.
Xhuliani (1998) është një artist visual i cili kreu studimet e larta për Pikturë dhe Grafikë në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër dhe ndjek studimet postuniversitare për Multimedia tek Universiteti i Arteve Tiranë. Eksperimentimi dhe hulumtimi janë thelbi i praktikës së tij artistike. Alternimi i mediumeve të ndryshme lind si nevojë për zgjerim të shprehjes artistike por edhe si mjet për një botëkuptim më të gjerë dhe metodë navigimi ndaj informacionit të pafund me të cilin përballemi.
Si artist i ri shtron pyetje në lidhje me disa fenomene shoqërore: të rritesh në epokën e internetit, shteti, shtëpia, besimi dhe krijimi i identitetit në një vend në tranzicion kundrejt ideologjive. Me anë të mediumeve të ndryshme paraqet pjesë të realitetit të ndërthurura me trillimet. Një botë alternative ku gjithçka është e përsosur, një botë reale kaotike ku imazhi nuk është asgjë më shumë se një jehonë e një marrëdhënieje të shtrembëruar mes dëshirave dhe frikës. Shpeshherë për punën dhe kërkimin i referohet dhe internetit dhe arkivave dixhitale duke e konsideruar si një memorie kolektive universale.
Matanë mbështet marrëdhëniet midis artit dhe hulumtimit duke u dhënë hapësirë dhe kohë artistëve të çdo disipline për të punuar në një projekt të ri me qasje burimet e ndryshme në Prishtinë Shtatëmbëdhjetë dhe Shkodër Art House
Projekti Matanë është pjesë e projektit READ- Regional Network for Cultural Diversity.