Metamorphosis II | Ndërhyrje artistike në hapësirë publike.
Vitin e kaluar fondacioni Shtatëmbëdhjetë me performancë dhe ekspozitë riktheu për një ditë dhe ktheu memorien kolektive të objektit që dikur shërbente si mensë për punëtorët e ish kompanisë “Ramiz Sadiku”. Këtë vit po vazhdojmë me edicionin e dytë të Metamorphosis, ku për një ditë do të rikthejmë një tjetër objekt.
I ftojmë të rinjtë dhe të rejat që merren apo kanë interesim në fushën e artit që të bëhen pjesë e punëtorisë tre ditore- Metamorphosis II. Fushat në të cilat punoni apo keni interesim më shumë të kontribuoni ndër të tjera mund të jenë muzika, performanca, fotografia, videoja, dizajni, ndërhyrja urbane, memoria kolektive dhe çështjet sociale. Gjatë punëtorisë do të mund të mësoni se si të bëni hulumtim në terren për mbledhjen e memories kolektive të hapësirës publike të përzgjedhur. Po ashtu do të mësoni rreth fushave të ndryshme të artit dhe rreth procesit të zbatimit të aktivitetit nga zhvillimi i konceptit deri në zbatim. Pas punëtorisë grupet e paracaktuara do të punojnë për finalizim të ideve të tyre për ndërhyrjen artistike e cila do të zë vend në një objekt në Prishtinë i cili ka histori dhe vlera të trashëgimisë. Procesi i punës do të realizohet në bashkëpunim me ekipin e Metamorphosis II.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata/ato prej moshës 16-24 vjeçare që jetojnë në Komunën e Prishtinës. Afati i fundit për aplikim është data 12 shtator 2019. Punëtoria do të mbahet me 19, 20 dhe 21 shtator.