Thirrje për aplikim
Është e rëndësishme sot, nën dritën e ngjarjeve shqetësuese që po jetojmë të gjithë, të flasim dhe ta kuptojmë drejtë ekologjinë dhe ambientin me të cilin jetojmë. Çështjet e mjedisit nuk kanë reshtur së qeni të rëndësishme që kur romantikët e shek. XVIII me thirrjen e tyre të kthimit në natyrë, e vunë theksin në industrializimin e botës dhe parashikuan, me të drejtë, pasojat e sistemit industrial të prodhimit në masë i cili kërkonte rritjen e pakontrolluar të energjisë duke përdorur karburante fosile. E ardhmja e atëhershme është historia jonë. Pasojat e kësaj filozofie të prodhimit, përfitimit dhe shfrytëzimit shihen qartë dhe ato rëndojnë që tani deri edhe frymëmarrjen e shtresave dhe kategorive më të ekspozuara në periferi të botës dhe të vendim-marrjes.
Ne kemi arritur në një pikë ku emergjenca është normaliteti. E vërtetë se po mundohemi ta kthejmë edhe njëherë kokën pas nga natyra, me ndryshimin tashmë se ajo nuk është më aty, natyra si e kemi konceptuar deri tani nuk ekziston më, dhe u desh diçka e thjeshtë si një virus që të na kujtonte atë që e dinim; se toka dhe mjedisi janë të gjalla, ne jemi organizma brenda organizmash të tjerë dhe vendi ku frymojmë është organizmi me të cilin jetojmë pa kufij të qartë ndarës midis njëri-tjetrit (queer ecology theory). Duhet të vetëdijesohemi se nuk ekziston brenda dhe jashtë. Po të ishin të vërteta si koncepte atëherë një virus apo diçka tjetër nuk do të mund të infektonte dhe të riprodhohej pafundësisht në qeniet e gjalla. Kufijtë biologjik ashtu si ato gjeografik janë konstrukte të mendjes, çdo gjë ka qenë dhe është e ndërlidhur.Edicioni i dytë i Rezidencës së Artit INFRARED vjen me një thirrje të hapur që i dedikohet çështjeve emergjente të ambientit. Është thelbësore të arrijmë të ndajmë dhe të dëshmojmë eksperiencën intime të secilit/secilës. Duke konsideruar numrin e popullsisë për metër katror, Kosova është nga ato vende në zhvillim me nivelet e ajrit të ndotur në shifra shumë të larta, gjithashtu me një mangësi të theksuar të menaxhimit të mbetjeve dhe përdorimit të teknologjive të qëndrueshme në energji dhe me një përqendrim të lartë të kategorive sociale më të ndjeshme në vështirësi ekstreme. Kësaj gjendjeje i përgjigjet një ndërgjegjësim i pasinqertë që e mohon dhe e vjell problemin në vazhdimësi.Realiteti, të cilit përpikshmërisht i shmangemi, përbëhet prej kokrrizave mikroskopike të helmeve dhe të plastikës, fakti që nuk jemi në gjendje ta shohim me sy të lirë nuk do të thotë se është më pak i rrezikshëm.
Rezidenca e Artit INFRARED është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes Infrared e cila në përgjithësi është e padukshme për syrin e njeriut, por që mund të ndjehet si nxehtësi dhe mund të shihet vetëm nën rrethana të caktuara me pajisje të veçanta. Në të njëjtën vijë të mendimit, metodologjia e Rezidencës së Artit INFRARED ka për qëllim që të identifikoj çështje të ndryshme çdo vit që preukupojnë komunitetin. Prandaj, edhe INFRARED është rezidencë tematike që përfshin të gjitha llojet e qasjeve, për qëllim të rezidencës përtej zhvillimit artistik. Në këtë mënyrë INFRARED përmes rezidencave artistike ka për qëllim që të krijoj një dialog publik mbi çështje të caktuara.
Edicioni i II-të i INFRARED do të adresoj tema që kanë të bëjnë me çështje emergjente të ambientit duke përdorur artin si formë për të prekur dhe trajtuar çështje të tilla. Artistë të të gjitha gjinive janë të ftuar të kontribuojnë në temën e çështjeve emergjente të ambientit.16 persona do të përzgjidhen të jenë pjesë e programit 5 – ditor në kuadër të rezidencës i cili do të mbahet në fillimit të muajit korrik, ndërsa 8 prej tyre do të përzgjidhen për të qenë pjesë e Rezidencës së Artit INFRARED. Rezidenca do të mbahet gjatë muajve shtator-tetor, duke ofruar mundësinë e studios open space në Prishtinë për ata/ato që do të përzgjidhen, të cilët/cilat do të mbështeten të prodhojnë një punë si dhe do të jenë pjesë e ekspozitës kolektive pas përfundimit të rezidencës.
Krahas programit të rezidencës, artistët/et do të vazhdojnë të punojnë individualisht, të eksplorojnë dhe realizojnë konceptet e tyre në mënyrë të pavarur. Për këtë INFRARED drejton një skemë të mentorimit një me një, si mbështetje shtesë për programin e rezidencës. Procesi deri tek realizimi final i punëve përcillet nga mentorja dhe kuratorja e ekspozitës Blerta Hoçia.
Mbi kuratoren
Blerta Hoçia (1984 Tiranë) është artiste dhe kuratore nga Shqipëria, e cila jeton në Prishtinë. Ajo ka përfunduar shkollimin për Teknika të Pikturës në Akademinë e Firences në Itali. Blerta ka punuar si kuratore në “Miza Gallery”, një hapësirë artistike në Tiranë, dhe Udhëheqëse e Arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Ajo ka kuruar disa ekspozita, në mesin e të cilave “SOFT MEAL” në Miza Gallery (2015), “RROFTË” Marubi (2017), “NA ISHTE NJË HERË QË KURRË MOS QOFTË” Qendra për të Drejta Humanitare në Kosovë (2019), “OPEN CITY” Nuit Blanche Prizren (2019). Ekspozitat e saja personale përfshijnë, “THE DEMIURGE”, në Siena të Italisë (2012), “IN THE ABSENCE OF EXTERNAL FORCES DO NOT POSSESS MY OWN FORM” Magma në Firence të Italisë, (2013) dhe “I THOUGHT OF YOU SO HARD” Zeta Galeri në Tiranë (2016). Ajo ka marrë pjesë në ekspozita të shumta kolektive dhe panaire të artit, në mesin e tyre “EMERGENZ”, Berlin (2013), “SUPERMARKET” në Stokholm (2015), “PARALLEL VIENNA” (2017), “ARDHJE”, Tiranë (2014, 2019) dhe Çmimi MUSLIM MULLIQI në, Prishtinë (2018).Praktika e saj e punës është e fokusuar në procesin kreativ të memories, se si ballafaqohemi me të në mënyrë intime dhe si shoqëri. Me punën e saj ajo mëton të krijoj një dialog ideal me të kaluarën. Ajo punon me arkivin personal si dhe me arkiva publike analoge apo digjitale.
Kush mund të aplikoj?
Shtatëmbëdhjetë është i përkushtuar të bashkojë artistë të të gjitha gjinive dhe sfondeve, grupe, kolektive nga e gjithë Kosova. Mirëpresim aplikacione nga artistë/e që punojnë në një gamë të gjerë disiplinash krijuese, duke përfshirë: animacion, arkitekturë, arte interpretuese, artet pamore, dizajn, dramaturgji, film, fotografi, letërsi, media të reja, muzikë, performancë, pikturë, qeramikë, skulpturë, shtyp, tekstil, vallëzim, video art, vizatim dhe ata/o që praktikojnë një varg disiplinash krijuese. Rezidenca është e përshtatshme për individët krijues, grupet, kolektivet në faza të ndryshme të karrierës së tyre – deri në moshën 30 vjeç.
Si mund të bëheni pjesë e Rezidencës së Artit INFRARED?
Për t’u bërë pjesë e rezidencës INFRARED duhet të plotësoni formën e aplikimit online dhe të bashkangjitni dokumentet percjellëse në formë deri më 1 Qershor, 2020.https://forms.gle/LGKjc2uq3GHpp3zD7
Për pyetje rreth rezidencës dhe formës së aplikimit mund të na shkruani në [email protected] .
Programi i INFRARED mbi çështetjet emergjente të ambientit implementohet nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë dhe mbështetet financiarisht nga Prince Claus Fund dhe Goethe-Institut.