Rezidenca INFRARED
Ju prezantojmë me Luiza Thaqin dhe projektin e saj Study of relation (,) of us., të cilin do ta zhvilloj gjatë qëndrimit në Rezidenca 17.
Study of the relation (,) of us.
Sistemi socio-ekologjik, një koncept i zhvilluar nga Murray Bookchin në vitet ’60 ku Bookchin filloi të ndiqte lidhjen midis çështjeve ekologjike dhe sociale. Ai më tej në punimin e tij “What is Social Ecology?”, si hyrje shkruan: Ekologjia sociale bazohet në bindjen se pothuajse të gjitha problemet tona aktuale ekologjike burojnë nga problemet e thella sociale. Nga ky këndvështrim rezulton se këto probleme ekologjike nuk mund të kuptohen, e aq më pak të zgjidhen, pa një kuptim të kujdesshëm të shoqërisë sonë ekzistuese dhe irracionaliteteve që dominojnë atë. Për ta bërë këtë pikë më konkrete: konfliktet ekonomike, etnike, kulturore dhe gjinore, ndër shumë të tjera, qëndrojnë në thelb të dislokimeve më serioze ekologjike me të cilat përballemi sot – pa dyshim, përveç atyre që prodhohen nga katastrofat natyrore. Shpesh individi e përjashton veten nga mendimi se ka peshë në çështjet ekologjike, me arsyen se pa qenë një masë më e madhe e aktivizuar, nuk ka rezultate në ndryshim. Por problemi nuk qëndron këtu, ideja është të kuptojmë saktësisht atë që Bookchin përpiqet të shpjegojë në punimin e tij, duke treguar qartë se njeriu nuk e kontrollon natyrën apo ndryshimin në natyrë, nëse e mendon veten të ndarë prej saj. Është mënyra se si krijohen marrëdhëniet midis mjediseve ose ekosistemeve të ndryshme që ndikojnë në njëri-tjetrin duke krijuar një sistem funksional. Njerëzit dhe individët e shoqërisë janë pjesë e mjedis. Duke u mbështetur në këtë Luiza, përmes kërkimit të saj artistik, synon të kontekstualizojë dhe eksplorojë konceptin e socio-ekologjisë brenda mjedisit specifik të Kosovës. Duke vepruar kështu, ajo kërkon të zbulojë se si parimet e socio-ekologjisë zbatohen në kushtet unike shoqërore dhe mjedisore të vendit. Objektivi i përpjekjes së saj është gjithashtu të fitojë njohuri mbi ndërveprimin ndërmjet shoqërisë dhe natyrës në Kosovë, por edhe t’i komunikojë këto njohuri në një mënyrë që mund të shërbejë si një mjet edukativ për nje mase me të gjerë. Aspekti edukativ është thelbësor për nxitjen e një kuptimi më të thellë se si funksionimi ynë shoqëror është i lidhur ngushtë me mjedisin dhe botën natyrore.
Kush është Luiza?
Luiza Thaqi është një artiste e re që jeton në Kosovë. Ka kryer studimet bachelor në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, dega pikturë (2018-2021) dhe ka filluar studimet master në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës. Si artiste pamore, ajo punon me një sërë mediash artistike, duke përfshirë pikturën, vizatimin, fotografinë dhe videon. Puna e saj shpesh bazohet në përvojat personale dhe eksploron se si praktikat individuale kryqëzohen dhe manifestohen brenda shoqërisë. E rëndësishme për të është të eksplorojë se si të kuptuarit tonë për individualitetin ndryshon në varësi të marrëdhënies sonë me shoqërinë në një moment të caktuar. Duke kaluar më tej, puna vijon për të shqyrtuar funksionalitetin, ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore dhe bazat mbi të cilat ndërtohen këto marrëdhënie, duke filluar nga organizimet shoqërore në një shkallë më të vogël e deri te organizimet shoqërore në një shkallë më të madhe.