Echo-Eco Fear
Hulumtim mbi Rolin e Ekosistemeve Akustike në Formësimin e Identitetit
Kreshnik Arifi (Prishtinë, 2000) përfundoi studimet bachelor në Artin Konceptual dhe Mediat e Reja në Universitetin e Prishtinës. Ai ka një qasje eksploruese ndaj potencialeve të reja të artit bashkëkohor, dhe ky eksplorim është i përqendruar në eksperimentime të vazhdueshme në fushat e videoartit, tingullit dhe përdorimit të hapësirës si potencial për ndërtimin e ideve.
Në vitet e fundit, interesi i Kreshnikut është zhvilluar drejt ndërhyrjeve artistike në hapësira publike. Specifikat e hapësirës, si arkitektura, historia dhe konteksti aktual, janë elemente që ai i merr parasysh për të përcaktuar karakteristikat dhe kushtet e ndërhyrjeve artistike.
Aktualisht është në fazat fillestare të një projekti kërkimor artistik që synon të eksplorojë potencialin komunikues të tingullit si medium. Duke përdorur burime tingullore jo konvencionale dhe duke krijuar struktura të reja akustike, ai synon të ndërtojë një gjuhë të re auditive që ndërvepron me hapësirat ekzistuese dhe arkitekturën akustike.
Kreshniku është pjesë e programit të Rezidenca INFRARED me projektin “Echo – Eco Fear”. Ky projekt hulumtues shqyrton ndikimin e peizazheve akustike rurale dhe urbane në formësimin e identitetit individual dhe kolektiv. Duke analizuar karakteristikat e veçanta tingullore të këtyre dy mjediseve, projekti synon të kuptojë marrëdhëniet dhe tensionet që krijohen mes tyre. Një aspekt kyç i hulumtimit është eksplorimi i potencialit për komunikim mes këtyre dy ekosistemeve, duke trajtuar mënyrën se si tingulli ndikon dhe ndërmjetëson këtë raport.
Si pikë referimi, projekti mbështetet në konceptin Ecology of Fear të Mike Davis, duke e riinterpretuar atë në një dimension akustik. Në këtë kontekst, frika dhe pasiguria interpretohen përmes përplasjes mes tingujve të brishtë ruralë dhe strukturave monumentale urbane.
Ky proces kërkimor synon të grumbullojë materiale që ndihmojnë në ndërtimin e një platforme e cila krijon kushte për një komunikim të dinjitetshëm mes këtyre dy ekosistemeve. Kjo platformë do të shërbejë si një hapësirë e re ndërveprimi, duke mundësuar një bashkëjetesë më të ekuilibruar të peizazheve akustike dhe një dialog të hapur mes natyrës dhe qytetit.
—-
Programi i Rezidenca 17 përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryeqyteti Prishtina, SMART Balkans.