Metamorphosis IV
Kino Rinia – Parallel Voices
Botimi Kino Rinia – Parallel Voices është i konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga autorë/e të ftuar enkas për këtë edicion, nga kontribues që vijnë nga disiplina të ndryshme, duke përfshirë arkitektë, teoricienë filmi, antropologë kulturorë dhe gazetarë. Historia lokale, kujtesa kulturore dhe hapësira publike janë të ndërthurura thellë, dhe shkrimet e tyre në mënyrë efektive rishikojnë, rindërmjesojnë dhe trajtojnë një sërë pyetjesh që lidhen me historinë publike dhe teorinë arkitekturore, si dhe merren me specificifikat e trashëgimisë kulturore dhe politike të Kino Rinisë.
Libri ofron një pasqyrë kontekstuale të kinemasë, të bazuar në kujtesën kolektive dhe personale, kërkime arkivore dhe shqyrtimin e literaturës ekzistuese. Kapitulli tjetër përdor koncept-termin kinofikim për të shpjeguar operimin ideologjik të kinemasë në fillim të viteve 1950 në Jugosllavi për të ilustruar kushtet shoqërore dhe politike që sollën hapjen e mbi tridhjetë kinemave në mbarë Kosovën gjatë dekadës së parë pas Luftës së Dytë Botërore. Më tej, vëmendje i kushtohet zhvillimeve urbane dhe prodhimit të hapësirave kulturore në qytetin e Prishtinës pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes një leximi të afërt të veçorive arkitekturore të Kino Rinisë, rrëfimi fokusohet në përjetimin arkitekturor të ndërtesës së kinemasë. Këtu, nevoja për të ruajtur trashëgiminë shumështresore të hapësirës bëhet edhe më e dukshme dhe urgjente. Nëpërmjet intervistave të historisë gojore me gra të gjeneratave të ndryshme, përjetimet e grave në kinema zbulohen. Qasja etnografike e përdorur në tekst lejon përfshirjen e afërt me perspektivat e grave dhe i akomodon ato brenda historisë lokale të kinemasë. Po ashtu kuptojmë për ndryshimet që ka pësuar ndërtesa e Kino Rinisë pas luftës së vitit 1999, për shkak të trajtimit të saj si mall dhe jo më si një ndërmarrje nën pronësinë shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Pjesa e dytë e botimit ofron një dokumentacion të detajshëm vizual dhe tekstual të ndërhyrjes artistike specifike për lokacionin, me titull Parallel Voices, e ideuar nga Maksut Vezgishi, e cila u zhvillua në datat 7-9 shtator 2021 në Kino Rinia. Në kontekstin e Metamorphosis IV, performanca funksionoi si një akt i transferimit dhe transmetimit të dijes dhe kujtesës lokale. Seksioni përmban tre tekste me autorë Doruntina Basha, Artrit Bytyçi dhe Fjolla Hoxha, të cilat u performuan nga Donika Ahmeti, Cristina Marí dhe AI 1s2 2s2 2p4.
Redaktore: Erëmirë Krasniqi
Autorët/et kontribuues: Sihana Klisurica, Tevfik Rada and Bengi Muzbeg, Arbër Sadiki, Rina Geci, Shaban Maxharraj
Dizajni: Silvia Basso and Matteo Bencini
Botues: Shtatëmbëdhjetë(17)