EKSPOZITA INFRARED: GIVEN
Deklarata e kuratores: Blerta Hoçia
E dhënë: 1) Hapësira e rrethuar, 2) Barërat e këqija * – Një oazë e vogël e shkurreve dhe barishteve, të vetmet që mund t’i rezistojnë degradimit të avancuar të kësaj copëze qyteti të kthyer në natyrë.
Është në natyrën e betonit ta shpërfaqë njeriun dhe në natyrën e barishteve të mbinë kudo. Një ekosistem i ri i krijuar brenda kësaj flluske të lënë mbas dore, në pritje që të bëhet sërish e frytshme në metamorfozat urbanistike. Pritja e gjatë ka rezultuar në disa tulla të kuqe të ngjeshura rastësisht me njëra tjetrën, një mur i zhveshur që ndryshon nuancë, rozë, mente në gurkali dhe e bardhë e pisët.
Nëse do të arrinim të shihnim tokën jashtë ndikimit human, kjo hapësirë e vogël mund të përfaqësonte një ide mbi makrokosmosin e realitetit, si të ishte një vend i ngrirë në hapësirën-kohore mijëra vjeçare të historisë së zhvillimit njerëzor duke fshehur që në zanafillë potencialin e vet shkatërrues, njeriun. Gjurma e tij toksike është e dokumentuar përgjatë të gjithë epokës së tanishme gjeologjike ku mbizotëron vizioni antropocentrik për ambientin dhe tokësoren.
Një vizion i natyrës si diçka e huaj, jashtë vetes. Si diçka që mund të shtepiakëzohet sipas arrogancës. Çdo gjë që është jo njerëzore mund të jetë në shërbim të përfitimit njerëzor. A është natyra diçka e dhënë? A është natyra një koncept i shpikur nga njeriu, dhe si pasojë çdo gjë në të ekziston vetëm në formën e perceptimit njerëzor duke e përjashtuar qenien e saj një entitet të pavarur?
“Vlera ekologjike e termit natyrë mbivlerësohet në mënyrë të rrezikshme, sepse natyra nuk është thjesht një term – është diçka që i ka ndodhur hapësirës së ndërtuar nga njeriu, duke demarkuar sistemet njerëzore nga sistemet tokësore. Natyra si e tillë është një produkt njerëzor dymbëdhjetë mijë vjeçar, si gjeologjik ashtu dhe diskursiv.” (T.M Dark Ecology). Si edhe argumenton filozofi Timothy Morton në Dark Ecology, natyra e kuptuar kështu shpreh një qasje agrologjike të të jetuarit, dhe si pasojë rezulton në një këndvështrim që përjashton të gjitha këndvështrimet që nuk janë njerëzore. E pra, barërat e këqija apo shkurret e sipër përmendura ekzistojnë vetëm në dimensionin e perceptimit tonë mbi këto barëra apo këto shkurre. Vizioni agrologjik është i njëjti i njerëzve të parë që u kthyen nga mbledhës – gjuetarë në bujq – agronom.
Njeriu për njeriun është një formulë vetë-asgjësuese. Vizioni që ne kemi për natyrën është ai i kufijve dhe mënyra e parapëlqyer e ekzistencës së këtij sistemi është shtëpiakëzimi i çdo forme jetese të gjallë jo njerëzore, duke e thelluar linjën ndarëse midis njerëzores dhe natyrës.
“Natyra imagjinohet më së miri siç e imagjinonin shoqëritë feudale, një cikël periodik harmonik i këndshëm i mishëruar në ciklin e stinëve, duke mundësuar parashikimin e rregullt pa ankth të së ardhmes.” (T.M 2016).
Por kjo mungesë e supozuar e ankthit, mohimi i tij, është paradoksalisht ajo çfarë e bën atë (ankthin) të kudondodhurin e shoqërive moderne. Natyra e dhënë mbart në vetvete ambiguitetin e termit, natyra e njeriut, natyra e tokës, natyra e panatyrshme e kështu me radhë. Ajo se çfarë është e dhënë i ngjan një mase informacionesh të cilat e shtojnë hutimin. Në veprat e ekspozuara ato marrin formën e përfytyrimeve utopike apo distopike duke zhbiruar atë se çfarë është e dhënë dhe ku qëndron ajo, koordinatat e sakta të konceptit natyrë. Qartësisht titulli është një referencë ndaj veprës së mistershme të Duchamp Étant donnés: 1° La chute d’eau / 2° Le gaz d’éclairage, ku përmes të dhënave 1) dhe 2) kërkohet të shtjellohet dhe të zbulohet një ekuacion duke e shndërruar vizitorin në një voyeur që e sheh veprën nëpërmjet peepholes(vrima për të përgjuar) të instaluara në të.
Shndërrimi në voyeur përballë problemeve (shpalosjes së të dhënave apo zbulimit të ekuacioneve) është gjithashtu karakteristikë dhe pjesë e pandashme e realitetit tonë. Dhe atëherë gjesti i vetmuar i vizitorit të Duchamp shumëfishohet dhe përsëritet në loop-in e pafund të jetesës së shpenguar bashkëkohore. Një gjest familjar dhe i huaj njëkohësisht, i performuar me ankth në ciklicitetin e vështrimit vojerist ndaj katastrofës ekologjike.
* Given: 1. The Waterfall , 2. The Illuminating Gas, Marcel Duchamp 1946-1966
————–
Edicioni i II-të i INFRARED adreson tema që kanë të bëjnë me çështje emergjente të ambientit duke përdorur artin si formë për të prekur dhe trajtuar çështje të tilla për ambientin. Artistë/e nga Kosova, Shqipëria dhe Malta ishin pjesë e Rezidencës së Artit ku zhvilluan konceptet e tyre, veprat e të cilëve mund t’i shihni në ekspozitën e INFRARED
Ekspozita do të qëndrojë e hapur tre ditë 8-9-10 Dhjetor 2020, prej 11:00– 18:00.
Lokacioni: Rr. Migjeni, nr. 17, Prishtinë (kinemaja verore e Kino Rinisë)
Artistët/et pjesëmarrës/e:
Abi Shehu; Berat Bajrami; Bib Frrokaj; Bobb Attard; Laureta Hajrullahu; Lori Lako; Lumturie Krasniqi; Yll Xhaferi