Që nga hapja në 2018, Project Space 17 ka qenë më shumë sesa thjesht një hapësirë fizike. Pa dyshim ka qenë gur themel për funksionin e Shtatëmbëdhjetë si organizatë dhe nikoqir i qindra aktiviteteve të ndryshme që kanë bërë bashkë komunitetin. Qysh në fillim kur është konceptuar kjo hapësirë dhe programi që do të shpalosej ideja ka qenë e qartë. Të krijohet një hapësirë e sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të bashkojë komunitetin përmes programeve kreative, edukative dhe argëtuese. Një vend ku arti dhe kultura ndërthuren lehtazi me aktivizmin, ku rritja personale dhe profesionale jo vetëm inkurajohet, por edhe festohet.
Për 6 vite, Project Space 17 ishte një strehë, një vend për tu frymëzuar, për t’u lidhur me të tjerët dhe për t’u rritur në një mjedis që vlerëson gjithëpërfshirjen dhe diversitetin. Mbesim me shpresën që ka luajtur një rol jetik në jetën e të rinjve/rejave, artistëve/eve, individëve e grupeve të ndryshme, duke u ofruar mundësi për të mësuar, për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u shprehur lirshëm.
Ani pse Shtatëmbëdhjetë largohet nga menaxhimi i kësaj hapësire, ne e bëjmë këtë me krenari të pamasë për gjithçka që është arritur aty. Ne jemi mirënjohëse për çdo moment, çdo histori dhe çdo person që kontribuoi për ta mbajtur gjallë dhe aktiv Project Space 17. Jemi përjetësisht falënderuese për gjithë mbështetjen e vazhdueshme përgjatë këtyre 6 viteve.
Project Space ka qenë një oazë për Shtatëmbëdhjetë, e brenda asaj qasje po e përcjellim konceptin tek Instituti Sekhmet që të vazhdojë të jetësohet në një hapësirë si Project Space e të kontribuojë në bartjen e këtij koncept. Derisa përfshirja jonë e drejtpërdrejtë mund të marrë fund, Project Space 17 do të vazhdojë të jetë një qendër kreativiteti, mësimi dhe rritjeje, dhe ndikimi i tij padyshim do të zgjasë për vitet në vijim falë përkushtimit dhe punës që do të bëjë Instituti Sekhmet aty.
Përcilleni punën e mrekullueshme që Sekhmet po bën dhe për më shumë informata rreth menaxhimit të Project Space.