Shtatëmbëdhjetë, falë bashkëpunimit me Qeverinë Rajonale të Styrias për artistë dhe teoristë në kuadër të programit Styria-Arists-in-Residence, krahas programit shkëmbimor prezanton artisten në rezidencë në Graz për vitin 2023-2024, Dhurata Hoti.
Dhurata ka studiuar dramaturgji në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ajo është autore e dramave të ndryshme teatrale, skenarë filmash, tregime të shkurtra, shfaqje, poezi, pikturë dhe gazetari kulturore. Frymëzimi i saj i hershëm përfshin autorë që eksplorojnë anën e fshehur, shpeshherë të errët të natyrës njerëzore dhe modelet e saj, si Dostojevski, Charles Baudelaire, Anais Nin, Milan Kundera, Dino Buxati, August Strindberg, Jack Kerouac, Haruki Murakami, Sylvia Plath, De Sad, Ernesto Sabato, Bulgakov, Martin Camaj, Stafan Cvaig dhe regjisorë filmash si Tarkovski, Bergman, Antonioni, Truffaut, Andrzej Zulawski, Agnes Warda. Shkrimet e saj janë një mënyrë për të eksploruar çështjet personale dhe sociale, pavetëdijen kolektive, mitet universale, seksualitetin, kërkimin e identitetit, spiritualitetin dhe marrëdhëniet bashkëkohore. Temat që ajo përdor bazohen paksa në autofiction, të vendosura në botën tonë bashkëkohore me realizëm surreal, magjik dhe elemente horror. Krijimi i personazheve të ndryshëm dhe ‘luajtja’ me ta është një mënyrë për të përballuar mërzinë dhe pakënaqësinë e jetës reale. Asaj i pëlqen të shkruajë për gjërat që dëshiron të bëjë, por nuk do t’i bënte për shkak të etikës, gjërave që ajo ka frikë t’i bëjë, ose për ato që nuk është në gjendje t’i bëjë sepse logjika jonë e realitetit nuk na lejon.