Metamorphosis III
but first check the water
Dimensioni historik, kulturor, dhe arkitektonik i objektit të Kryqit të Kuq, merr trajtë dhe lexim të ri, me t’u shqyrtuar përbrenda dinamikave më të mëdha të qytetit të Prishtinës. Hulumtimi në terren, mbledhja e rrëfimeve të banorëve dhe intervenimi artistik në kuadër të Metamorphosis III, ka shërbyer si mënyrë për t’iu qasur këtij objekti, por edhe për të trajtuar pyetjet rreth tij. Libri but first, check the water sjell një perspektivë më të zgjeruar të historikut të qytetit dhe po ashtu qasje më të fokusuar në lagjen ku gjendet objekti i Kryqit të Kuq. Po ashtu përfshin detaje të tjera të rëndësishme rreth intervenimit artistic, me koncept të Nurhan Qehaja. Ky libër shkon përtej ndërhyrjes artistike për të nxjerrë në pah një epokë historike, socio-kulturore dhe ekonomike me rëndësi të jashtëzakonshme në Kosovë dhe për të identifikuar objekte të tjera të trashëgimisë kulturore. Ndërhyrja artistike specifike për lokacionin, zuri vend më 30 shtator 2020.
Ky objekt i cili gjendet në lagjen e vjetër të Prishtinës, i njohur si objekti i Kryqit të Kuq, besohet se është ndërtuar në fillim të shekullit XX dhe i takon familjes së Iljaz Agushit. Objekti kategorizohet si monument, pasi në vitin 2018 është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Brenda shtatë kapitujve, shkrimet e autorëve kontribuues, janë menduar si intervenim në njohurinë ekzistuese mbi objektin, por edhe si mënyrë e adresimit të informacionit të munguar. Duke sjellë kështu sjell një perspektivë të përgjithshme nga parahistoria e deri në fillim shekullin XX. Trajtohet historia dhe zhvillimi i një prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, që sot njihet si Qendra Historike e Prishtinës. Më pas vihet në pah rëndësia e lëvizjeve shoqërore në formësimin e hapësirave urbane, si dhe roli i sistemeve ideologjikisht të motivuara në degradimin e qytetit. Nga një perspektivë më e përgjithshme mbi qytetin, publikimi i kthehet objektit të Kryqit të Kuq dhe relacionit me hapësirën ku ai gjendet. Mëtohet të hidhet dritë mbi objektin duke ia lexuar përafërm aspektet arkitektonike, dhe potencuar rëndësinë pse duhet të ruhet. Këtu trajtohet edhe rëndësia e ruajtjes së monumenteve dhe gjendja e objekteve të tilla të braktisura përmes analizës sociologjike të intervenimit artistik, duke prekur çështje që kanë të bëjnë me statusin e tyre publiko-privat.
Redaktore: Erëmirë Krasniqi
Autorët/et kontribuues: Haxhi Mehmetaj, Sali Shoshi, Merita Gorani-Bajri, Linda Gusia, Artan Krasniqi, Sihana Klisurica
Dizajni: Argjira Kukaj
Botues: Shtatëmbëdhjetë