Video credits: Meddy & Gramzi
Puna hulumtuese në terren, dëshmitë materiale, bashkëbisedime me personazhe të cilët ndajnë kujtime dhe informata në lidhje me historinë e objektit, po ashtu edhe me personalitete e akter që shpalosin detaje rreth historisë moderne në Kosovë, rëndësinë e objektit në aspektin arkitektonik, janë disa prej pikave të trajtuara në librin artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS. Gjithashtu edhe detaje të tjera të rëndësishme rreth intervenimit artistik që zuri vend me 15 tetor 2019 në objektin që njihet si ish-restorant Marsi. Libri shkon përtej intervenimit artistik, duke vënë në pah një periudhë historike, socio-kulturore e ekonomike, tejet me rëndësi në Kosovë duke identifikuar edhe objekte të tjera të arkitekturës moderne, por duke marrë si pikënisje restorant Marsin.
Qëllimi i këtij libri është që të shërbej si një dokument i cili vë në pah rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive, dhe ri-jetësimit të objekteve të braktisura të cilat mund të kthehen në hapësira për komunitetin.Intervenimi artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS, në kuadër të edicionit të dytë të Metamorphosis, u konceptua nga artistja KOJA, e cila njëherësh është autore e librit. Përmes Metamorphosis synohet të analizohet lidhja midis objekteve/monumenteve dhe vetëdijes publike në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive publike në hapësirën publike, dhe, nga ana tjetër, të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve/monumenteve. Në këtë mënyrë, Metamorphosis, duke operacionalizuar historinë dhe simbolet hapësinore të memories kolektive si mënyrë për të theksuar të drejtën e njerëzve për qytetin, vë theksin në fuqinë e memories kolektive për të formuar hapësira urbane.
Author: Fitore Isufi Shukriu – Koja
Dizajni: Argjira Kukaj
Botues: Shtatëmbëdhjetë