Smog Waltz
Arbër Salihu është muzikant dhe artist multidisiplinor nga Prishtina, i njohur për eksplorimin e ndjeshmërisë njerëzore, absurditetit dhe përvojave kolektive përmes muzikës, videos, regjisë, instalacioneve zanore dhe performancës live.
Si La Fazani, ai zhvillon performanca dhe lanson këngë që sfidojnë format tradicionale, duke ndërthurur tinguj eksperimentalë, humor të errët, tekstura të çuditshme dhe imazhe të ngulitura në kujtesën ballkanike. Qasja e tij është e lirë dhe lozonjare, por njëkohësisht e mbushur me reflektim mbi jetën në qytete të ngjeshura, mbi vlerat kulturore dhe mbi identitetin kolektiv.
Në vitin 2024, publikoi albumin e tij “Specie Turshi”, ndërsa më parë ka bashkëpunuar me figura dhe grupe të rëndësishme të skenës alternative në Kosovë, si Oborri, Cute Babulja dhe Genc Salihu. Ai është gjithashtu kompozitor për film dhe teatër, dhe ka realizuar vepra që përfshijnë fushën e instalacionit dhe videos.
Arbëri është pjesë e programit të Rezidencës INFRARED INFRARED, ku do të zhvillojë veprën “Smog Waltz” – një reflektim poetik mbi ndjenjën e ngulfatjes në hapësirat urbane dhe përpjekjen për të gjetur lëvizje, ritëm dhe intimitet brenda një realiteti të ngarkuar e të betonuar. Vepra trajton tensionin mes bukurisë dhe ndotjes, mes dëshirës për frymë dhe atmosferës që e shtyp atë.
Puna e tij është në kërkim të kontakteve të sinqerta përmes artit, duke i dhënë zë ndjenjave, kujtesave dhe pyetjeve që shpesh mbesin në hije.
—
Programi i Rezidenca 17 përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryeqyteti Prishtina, SMART Balkans.