Anila Spahiu është një nga përfitueset e programit të rezidencës, një bashkëpunim mes Shtatëmbëdhjetë dhe Milvus Artistic Research Center MARC. Për tri javë Anila do të punoj në projektin e saj “Ethereal Void” në Rezidenca 17.
“Ethereal Void” është një video-instalacion që shfaq në mënyrë abstrakte dhe konkrete elementët hapësinorë të perceptimit të dritës në përditshmëri dhe përjetimin e boshllëkut. Gjatë qëndrimit të saj në rezidencën, ajo do të zhvilloj më tej këtë projekt, duke eksperimentuar me hapësira dhe instalacione interaktive që sfidojnë perceptimin e shikuesve përmes dritës dhe hapësirës.
Anila Spahiu është një artiste vizuale, e cila punon me fotografi, video, grafikë dhe instalacione. Me origjinë nga Kosova, ajo përfundoi studimet e saj master në Praktikat Bashkëkohore Vizuale në Akademinë e Arteve Vizuale në Lubjanë, Slloveni. Puna e Anilës eksploron ndërveprimin midis dritës, hapësirës dhe perceptimit, duke ftuar shikuesit në një përvojë introspektive dhe medituese. Ajo shpesh përfshin tema sociale dhe rrëfime personale, duke përdorur metoda tradicionale dhe moderne për të lidhur trashëgiminë kulturore me shprehjet bashkëkohore. Anila ka ekspozuar punën e saj në vende të ndryshme dhe ka bashkëpunuar me artistë dhe institucione të njohura, duke dëshmuar përkushtimin e saj për të ndërtuar dialogje artistike domethënëse.
—
Bashkëpunimi midis MARC dhe Shtatëmbëdhjetë mbështetet nga një grant i financimit fillestar nga Instituti Suedez (SI) përmes Programit të Partneriteteve Kreative 2024.