Kujtesa kolektive për (ish) bibliotekën Hivzi Sulejmani
Objekti që ndryshe njihet si ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani”, si institucion më vete bartë jo vetëm vlera edukuese e kulturore, por edhe të trashëgimisë kulturore. Si bibliotekë, në rolin e një hapësire, u mundësoi shumë brezave qasjen në literatura të ndryshme në rrugëtimin drejt zhvillimit personal, ndërsa në aspektin arkitekturor mban vlera stilistikore e në vjetërsi kohore. Objekti ka arkitekturë rezidenciale të viteve ’30 me ndikim të stilit austro-hungarez, i cili pavarësisht etapave të zhvillimit arkitektonik, por edhe të shkatërrimit si pasojë e luftërave, i ka mbijetuar kohës.
Duke analizuar ekzistencën e tij, gati njëshekullore, kuptojmë më qartë rolin e ndryshimeve politike dhe aspekteve sociale e kulturore në vend. Në këtë përmbledhje mëtohet të vihen në pah perspektiva të ndryshme nisur nga historiku i shkurtër i funksioneve të objektit, periudhën e themelimit të bibliotekës, shkëlqimin e këtij institucioni, sfidat dhe aktivitetet. Një pjesë e madhe e këtij materiali bazohet në intervistat që kontribuojnë në mbledhjen e kujtesës kolektive rreth bibliotekës, e po ashtu në materiale të tjera arkivore dhe dokumente të gjetura në fazën katër-mujore të hulumtimit përgjatë vitit 2021.
Për të kuptuar aspekte më komplekse, ndërveprimet sociale apo edhe fenomenet kulturore, ky hulumtim na ndihmon të shqyrtojmë se si dhe përse kanë ndodhur gjëra të caktuara, duke interpretuar aktivitete dhe duke përshkruar veprimtari të ndryshme.